Përfaqësuesit e bizneseve prodhuese dhe ato importuese të mallrave në Kosovë, thonë se kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e re e Kosovës, duhet të reflektojnë karshi kërkesave të shpeshtuara të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështjen e tarifave doganore ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.
Sipas tyre, qeveria duhet të marrë një vendim, ndonëse që nga vendosja e taksës doganore nga qeveria e kaluar në nëntor të vitit 2018, ata thonë se tashmë kanë gjetur tregje të reja për vazhdimin e aktiviteteve të tyre biznesore.
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, ka përsëritur të martën se taksa 100 për qind ndaj importeve nga Serbia duhet të hiqet, në mënyrë që investimet të vihen në funksion.
Sektori i industrisë prodhuese, sipas drejtorit ekzekutiv të Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha, është përfituesi më i madh nga taksa 100 për qind.
Ai tha se që nga vendosja e taksës, kompanitë prodhuese kanë raportuar se kanë rritur kapacitetet, kanë zgjeruar veprimtaritë e tyre si dhe kanë shtuar numrin e punëtorëve. Ai po ashtu thotë se para se të merret ndonjë vendim, Qeveria e Kosovës duhet të konsultohet edhe me kompanitë prodhuese.
“Ky vendim është në dorën e Qeverisë së Kosovës. Ne e inkurajojmë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që të konsultohet se pari më sektorin e prodhimit për çfarëdo vendimi që do të merret sepse ky vendim do të ketë implikime ekonomike për sektorin e prodhimit”, tha Panxha për rel.
Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, me gjithë vështirësitë për gjetjen e tregjeve të reja për importin e produkteve, e kishte përkrahur vendosjen e taksës 100 për qind nga qeveria e kaluar.
Fadil Berjani, kryetar i kësaj Shoqate thotë se pas presioneve të SHBA-së dhe BE-së, tani qeveria duhet të vendosë për heqjen e taksës, pasi thotë ai, kompanitë e derivateve të naftës tashmë janë komode me tregjet e reja.
“Që të hiqet taksa…ky është qëndrim i Shoqatës së Naftëtarave – edhe nëse hiqet taksa nuk do të ketë import nga Serbia”, tha Berjani.
Një tjetër sektor që fillimisht ishte prekur nga taksa 100 për qind është ndërtimtaria. Por, me kalimin e kohës edhe ky sektor i ka zëvendësuar produktet e Serbisë me produkte nga shtetet tjera të rajonit, por edhe me prodhime vendore.
Brahim Selimaj nga Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës thotë se taksa duhet të pezullohet.
“Tashmë prodhuesi është i vetëdijesuar, vetëm në rast se nuk gjen altarnativë tjetër i kthehet tregut të Serbisë. Sipas mendimit tim, për shkak të miqësisë me SHBA-në, që insiston të mos ketë masë tjetër ndaj Serbisë (reciprociteti), më mirë do ishte të pezullohet taksa për një periudhë tre mujore, e më pas të vendoset reciprociteti”, thekson Selimaj.
Që nga vendosja e taksës 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, importi nga këto shtete ka rënë për 99 për qind.
Para vendosjes së taksës doganore, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë. Ky shtet, para 21 nëntorit, të vitit 2018 – kur u vendos taksa 100 për qind – gjatë një dite ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro apo rreth 450 milionë euro brenda një viti.