image Berisha: Drenori më sulmoi mua, më provokoi e më gjuajti me këpucë

Siguri

Berisha: Drenori më sulmoi mua, më provokoi e më gjuajti me këpucë

news image

Kandidati i Iniciativës Qytetare “Green për Drenas” për kryetar të Komunës së Drenasit, Xhavit Drenori, akuzoi Ramadan Berishën, djalin e prokurorit Ibrahim Berisha, se e ka sulmuar fizikisht sot, para zyrës së tij, raporton Gazeta Sinjali.

Mirëpo, këto pretendime po i hedh poshtë Berisha, i cili thotë se ai është viktimë dhe jo i dyshuar në këtë rast.

Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Berisha tha se është takuar rastësisht me Drenorin, i cili thotë se e ka provokuar dhe e ka sulmuar, duke hedhur këpucën në drejtim të tij.

“Jo, shumë e pavërtetë. E vërteta, sipas meje, është që ai më ka sulmu mua, e jo unë atë. Dmth, rastësisht unë kam pasur punë te një avokat aty, te zyra e një avokati, duke dalë nga ai, unë rastësisht jam taku me të dhe fillimisht ai vetë më ka provoku: ‘Ku je djali i prokurorit’, se u takuam ballë për ballë me të. I thash ‘cili prokuror?’, më tha ‘dihet cilit prokuror’ dhe kemi fillu me bisedu me të aty.”

Berisha insiston se është viktimë e sulmit nga Drenori dhe pretendon se ka reaguar për “vetëmbrojtje” vetëm pasi që ky i fundit e ka provokuar dhe sulmuar fillimisht.

Ai ka fillu me fjalë të ndyra, unë jam larguar diku ia 10 metra. Pastaj, ai e ka hek këpucën dhe prej 6, 7 metrave më ka gjujtë dhe më ka rrokë në kry. Pastaj, prapë ka ardhë në drejtim temin me më sulmu dhe në vetmbrojtje, unë jam ballafaqu me të, derisa na kanë nda të tjerët. Nuk qëndron fakti që unë e kam sulmu, nuk është e vërtetë“, tha ai për Sinjalin.

“Ai mua më ka sulmu. Dmth, unë jam i dëmtuar, jam kamerat e sigurisë aty, që mund t’i marrin policia, unë jam i dëmtum. Po, rasti është në polici, unë jam i dëmtuar, aty krejt kamerat policia i kanë në vëzhgim. Ngjarja është e filmuar në kamera, as mos më besu mua, as atij, jam kamerat që e dëshmojnë këtë“, përfundoi ai.

Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës i ka thënë Sinjalit se dy persona janë lënduar në një sulm fizik që ka ndodhur sot, rreth orës 13:00, në rrugën “Xhevë dhe Fehmi Lladrovci”, në Drenas dhe se policia ka nisur hetimet për zbardhjen e këtij rasti.

“Rreth orës 13:00, jemi njoftuar për një sulm fizik në rrugën ‘Xhevë dhe Fehmi Lladrovci’ në Drenas, ku lëndime trupore kanë pësuar dy persona të përfshirë në rast. Pasi kanë marr trajtimin e nevojshëm mjekësor, në QKMF- Drenas, policia i ka shoqëruar palët e përfshira në rast dhe është nisë një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë këtë rast”, tha ajo.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/