image Begaj në takim me Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së: Vlerësova kontributin e OSBE-së në Kosovë dhe rajon

Shqipëri

Begaj në takim me Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së: Vlerësova kontributin e OSBE-së në Kosovë dhe rajon

news image

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka pritur në takim Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Maria Schmid.

“Vlerësova rolin e Organizatës në këto momente kyçe që kontinenti evropian dhe rendi botëror po kalojnë, si dhe nënvizova vullnetin e Shqipërisë si vend anëtar i organizatës, për të kontribuar në drejtim të ruajtjes së paqes dhe rendit botëror”, ka shkruar Begaj.

Presidenti shqiptar ka shtuar se ka vlerësuar ekspertizën e OSBE/ODIHR dhe ka theksuar “se do të bëj gjithçka që më lejon Kushtetuta dhe ligji, që jo thjesht të kemi zgjedhje më të mira se paraardhëset, por zgjedhjet të përmbushin standardet ndërkombëtare, të jenë të lira e të ndershme”.

“Vlerësova gjithashtu rolin dhe kontributin e OSBE-së në Kosovë dhe rajon. Në këtë linjë, përshëndeta dakordësimin publik që u arrit në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë dhe rikonfirmova qëndrimin e Shqipërisë se dialogu dhe marrëveshja janë rruga e vetme për një rajon në paqe dhe stabilitet”, ka potencuar se presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

/GazetaSinjali/