image BE: Javën e ardhshme pritet që delegacioni i Kosovës të takohet me atë të Serbisë

Kosovë

BE: Javën e ardhshme pritet që delegacioni i Kosovës të takohet me atë të Serbisë

news image

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se me 10 dhjetor të këtij viti pritet që të zhvillohet takimi ndërmjet shefave të delegacioneve, të Kosovës dhe atij të Serbisë, raporton Gazeta Sinjali.

“Mund të konfirmoj se ekziston ideja që javën e ardhshme të zhvillohet takimi në nivelin e kryenegociatorëve në Bruksel”, ka thënë Stano, për rel, duke mos dashur që të japë detaje tjera rreth atij takimit dhe temave që eventualisht do të mund të diskutoheshin në të.

Stano këtë refuzim për të dhënë detaje e ka arsyetuar me fjalët se “nuk është praktikë që shumë ditë para takimit ta bëjë publike agjendën”.

Kanë kaluar gati tre muaj prej kur nuk ka pasur takime në nivelin e lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq, në nivel të shefave të delegacioneve për dialog takimi i fundit ishte zhvilluar më 29 nëntor në Bruksel kur palët kishin diskutuar për pretendimet financiare dhe pronësore mes tyre.

Në BE vazhdojnë të pohojnë se qëllimi i dialogut është arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përmes së cilës do të zgjidheshin të gjitha çështjet e hapura mes palëve. Sipas vetë të dërguarit të Posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, të gjitha marrëveshjet për temat specifike do të jenë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

Edhe pse Lajçaku dhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrel, kanë pohuar se dialogu po shkon mirë, diplomatët në BE pranojnë se ai është ngadalësuar dukshëm dhe për këtë, shkakun kryesor e shohin te situata e brendshme politike në Kosovë.

/Gazeta Sinjali/