image BE-ja: Qeveria Hoti ta emërojë kryenegociatorin për dialogun Kosovë - Serbi

Politikë

BE-ja: Qeveria Hoti ta emërojë kryenegociatorin për dialogun Kosovë – Serbi

news image

Bashkimi Evropian kërkon që sa më parë të rifillojë dialogu Kosovë -Serbi, me qëllimi të përfundimit sa më të shpejtë të këtij procesi me një marrëveshje gjithpërfshirëse.

Këtë të enjten një zyrtar i lartë i BE-së ka thënë se Bashkimi Evropian po ashtu pret që Qeveria e Kosoëvës e udhëhequr nga Avdullah Hoti të emërojë një kryenegociator për dialog dhe një ekip të Kosovës për këtë.

Në BE pohojnë se u takon kosovarëve të vendosin se kush do t’i përfaqësojë e po ashtu edhe BE-ja vendos se kush do ta përfaqësojë atë.

Bashkimi Evropian konsideron se tash ka një person, i cili mund të merret 24 orë me procesin e dialogut.

Gjithashtu, në qasjen e re të dialogut, BE-ja dëshiron të jetë më konkrete e jo duke pasur një qasje të dykuptimësisë së qëllimshme siç ka pasur më herët.

Ndryshimi i kujve, thonë tashmë shumë burime në BE, nuk do të jetë në tryezë sepse është kuptuar se një ide e tillë ka ndikim negativ, është kundër vlerave evropiane dhe zakonisht pasohet me lëvizje edhe të njerëzve në baza etnike, shkruan REL.

Pikërisht për shkak të ndikimit që mund të ketë në rajon, si dhe në të ardhmen evropiane të rajonit, BE-ja nuk do t’ua lë Kosovës dhe Serbisë krejtësisht në dorë marrëveshjen përfundimtare.

Prandaj insistojnë që marrëveshja e cila do të duhej të arrihej mes palëve të jetë e pranueshme edhe për BE-në, të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe të ketë ndikim pozitiv dhe stabolizues në rajon. Një marrëveshje e cila do të nënkuptonte ndryshimin e kufijve nuk besohet se do të ishte e tillë.

Burimet e BE-së pohojnë se i dërguari i posaçëm Miroslav Lajçak planifikon që sa më parë të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin, për të pasur kontakte personale me partnerët, në mënyrë që të rillojë dialogu. Ky dialog pritet të zhvillohet në Bruksel.

BE-ja e mirëpret rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog. Në BE pohojnë se SHBA-të kanë pasur rol në dialog edhe në të kaluarën, si dhe një rol të pazëvendësueshëm edhe në rajon, krahas BE-së. /Gazeta Sinjali/.