image BE-ja pret propozime nga Kosova për çështjen e Asociacionit

Politikë

BE-ja pret propozime nga Kosova për çështjen e Asociacionit

news image

Bashkimi Evropian është duke pritur propozime të Kosovës për ta themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Nga kryeqendra evropiane thonë se implementimin e marrëveshjes së 2013-s, Kosova e ka detyrim ndërkombëtar. Ndërkohë, zgjidhjen për themelimin e asociacionit, Qeveria Kurti thotë se do ta ketë në Kushtetutë dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, derisa thekson se asociacion njëetnik të komunave s’do të ketë.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, ka thënë se marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin është përfunduar me mirëbesim dhe se i mbetet Kosovës të propozojë një rrugë përpara për zbatimin e saj.

“Në vitin 2013 Kosova hyri në një marrëveshje për krijimin e Asociacionit të komunave Serbe. Kjo marrëveshje u përfundua me mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira. Asnjëherë nuk është anuluar. Në fakt, marrëveshja e vitit 2013 u ratifikua nga Kuvendi me shumicën e 2/3. Duke vepruar kështu, Kosova ndërmori një detyrim ndërkombëtar për të zbatuar këtë marrëveshje. Kosovës i mbetet të propozojë një rrugë përpara për të zbatuar marrëveshjen”, ka thënë ai për KP.

Megjithatë, për Qeverinë e Kosovës, Asociacioni nuk do të lejohet të ketë diçka që vë në diskutim funksionimin e shtetit.

“Ju e dini, Qeveria ka një qëndrim të qartë sa i përket kësaj teme. Iu përkujtoj edhe qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket kësaj teme. Kryeministri Kurti ka thënë se liria e asocimit është liri që garantohet me Kushtetutë, për këtë ka edhe Kushtetutë edhe aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, i cili do të jetë në shërbim të funksionimit të vendit dhe jo në defunksionalizim të vendit. Prandaj kemi thënë që asociacion njëetnik të komunave nuk mund të ketë”, ka thënë zëdhënësi, Përparim Kryeziu.

Ndërkohë, drejtori i institutit EPIK, Demush Shasha ka theksuar se nuk ka asgjë të keqe të themelohet Asociacioni i Komunave Serbe që është në përputhje me të drejtat që ia ka dhënë edhe Pako e Ahtisaarit.

Themelimi i Asociacionit tashmë është obligim ndërkombëtar i Kosovës që patjetër duhet të zbatohet. Nuk ka asgjë të keqe që të ngrihet një asociacion që është në përputhje me të drejtat që ia ka dhënë edhe Pako e Ahtisaarit. Ajo i ka dhënë të drejta të mëdha asociacionit në fusha që kanë të bëjnë në drejtat e serbeve në Kosovë. Fusha që prekin identitetin e tyre në Kosovë, për shembull arsimin, shkencën, kulturën. Në gjëra të tilla nuk ka problem që asociacioni të merr kompetenca të duhura për promovimin e interesave serbe në Kosovë. Çështja është se ky asociacion duhet të ngrihet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në përputhje me kartën evropiane për vetëqeverisje lokale. Në vazhdimësi duhet t’i subordinohet pushtetit qendror të Kosovës, respektivisht Qeverisë së Kosovës, ose Ministrisë së Pushtetit Lokal. Përderisa respektohen këto parime nuk ka problem që ngrihet asociacioni i komunave. Por unë besoj se tani jemi në një pikë rrethore ku formimi i tij do të jetë pjesë e pakos të marrëveshjes përfundimtare të Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Shasha.

Për shkak të hapjes së temës së themelimit të asociacionit, dialogu Kosovë-Serbi është bllokuar qysh nga viti i kaluar. Derisa ende nuk dihet nëse kjo temë do të jetë në agjendë në takimin e qershorit ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq.

Themelimi i Asociacionit qe paraparë me Marrëveshjen e Brukselit më 2013. Dy vjet më vonë, dy palët u pajtuan edhe për parimet për themelimin e tij. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet e kësaj marrëveshje nuk janë në përputhje me Kushtetutën./GazetaSinjali/