image BE-ja kërkon nga Kosova të përmbahet nga çfarëdo nisme e re pensionale apo sociale

Kosovë

Paralajmërim/ BE-ja kërkon nga Kosova të përmbahet nga çfarëdo nisme e re pensionale apo sociale

news image

Bashkimi Evropian  ka ftuar autoritetet kosovare që të përmbahen nga miratimi i çfarëdo iniciative të re pensionale dhe sociale në pritje të rishikimit të të gjitha skemave ekzistuese sociale dhe të vlerësimit të implikimeve të tyre afatgjata fiskale.

Për më tepër, pala e BE-së kërkoi që të informohet vazhdimisht mbi zhvillimet në reformat kryesore të sektorit publik siç janë shëndetësia dhe pensionet, si dhe implikimet e tyre fiskale, thuhet në një komunikatë për medie të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë pas takimit të zhvilluar dje në Bruksel mes përfaqësuesve të Komisionit Evropian dhe autoriteteve të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

Takimi u mbajt në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) që hyri në fuqi në prill 2016 dhe u fokusua në ekonomi, çështje financiare, statistika dhe kontroll financiar.

Siç thuhet në komunikatë, në këtë takim, BE ka theksuar mbështetjen e saj për reformën e administratës publike në Kosovë, megjithatë ka theksuar rëndësinë e mbajtjes së kostos së reformës në nivel që mundëson ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale në buxhetin për vitin 2020. Në këtë kontekst, Komisioni kujtoi nevojën e ruajtjes së stabilitetit makro-fiskal duke respektuar kufijtë e shpenzimeve dhe deficitit, të përcaktuara me rregullat fiskale.

Komisioni mori parasysh progresin e bërë në reformat e tjera strukturore, por theksoi nevojën për të adresuar çështje të ngutshme, siç është gjendja në tregun e punës, informaliteti gjerësisht i përhapur, furnizimi me energji që janë fusha ku nevojiten përpjekje të mëtejshme për reforma, thuhet në njoftim, shkruan Gazeta Sinjali.

Pala e BE-së theksoi se nxitja e zhvillimit të sektorit privat, forcimi i produktivitetit dhe krijimi i vendeve të punës duhet të udhëheqin agjendën e reformave në Kosovë.

Komisioni Evropian poashtu i ka bërë thirrje palës kosovare që të marrë parasysh perspektiven më reale të Bruto Produktit Vendor e cila do të duhej të ishte në përputhje me parashikimet konsensuale.

“Ndërkohë që rritja ekonomike e Kosovës është mbajtur mirë në vitin 2018, me 3.7% rritje të BPV-së, përshpejtimi i vazhdueshëm i parashikuar i rritjes së Bruto Prodhimit Vendor  mbi mesataren historike meriton një vështrim më nga afër”, thuhet në komunikatë.

Në kontekst të ekonomisë në rritje, Komisioni kërkoi sqarime në lidhje me rënien e pjesëmarrjes në tregun e punës. Pala e Kosovës njoftoi se pritjet e inflacionit do të rishikohen për lart për vitin 2019

Në të gjitha fushat, Komisioni dhe Kosova u pajtuan për rëndësinë e zbatimit të prioriteteve përkatëse të Agjendës të Reformave Evropiane dhe të Programe të Reformave Ekonomike si dhe rekomandimeve nga Raporti i Komisionit për Kosovën. / Gazeta Sinjali/