image Batatina i reagon ministrit Çeku: Mostakimi me klubet sjell dëme, mos ke frikë dikur mund të jetë vonë

Futboll

Batatina i reagon ministrit Çeku: Mostakimi me klubet sjell dëme, mos ke frikë dikur mund të jetë vonë

news image

Kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina e ka kritikuar ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çekun me “një mal” fjalësh pas situatës së fundit në lidhje me moslicencimin e Federatës së Futbollit të Kosovës nga ministria që ai drejton.

Batatina, si përfaqësues i Llapit, ditët e fundit është takuar me disa përfaqësues të klubeve në lidhje me çështjen e moslicencimit të FFK-së nga MKRS-ja.

Shefi i shtabit teknik te Llapi së bashku me disa përfaqësues tjerë kanë kërkuar takim me ministrin Çeku, por takimi nuk ka ndodhur ende.

Kësisoj, Batatina i është drejtuar Çekut me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, pas vizitës së këtij të fundit në Malishevë i cili ka nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me Komunën e Malishevës për investimin e mbi 500 mijë eurove në stadiumin “Liman Gegaj”

Postimi i plotë:

Nuk po e kuptoj Ministrin z. Çeku, a është duke e ditur se është Ministër i Sportit por edhe i futbollit ku dy emaila zyrtare ia kemi dërguar por nuk na është përgjigjur, prandaj kjo është shqetësuese sepse nuk po respektohen donatorët dhe njerëzit që i mbajnë klubet.

Nuk po e kuptoj nga cila fushë vjen Ministri jonë por dua t’i them se mos takimi me përfaqësuesit e 30 klubeve të futbollit mund t’i sjell problem vazhdimësisë së kampionatit dhe futbollit tonë sepse nuk është transparente dhe as etike mos të takohen përfaqësuesit e klubeve dhe ata që falë tyre Ministri Çeku shkon shikon ndeshje futbolli dhe krenohet me të arriturat e futbollit, kur je ministër je i të gjithëve dhe i sportit dhe nuk e di se çfarë të brengos të takohesh me përfaqësuesit e klubeve, atyre që ua keni vështirësuar punën e së ekzistuarit duke bërë filma dhe duke mos i respektuar as edhe Ligjin për Sponsorizim.

Brenda Ministrisë bëni shkresa të brendshme dhe ngatërroni licensimin me sponsorizimin dhe kjo ka bërë që klubet të mbetën në mëshirë të fatit e këtë Ligj, Qeveritë e kalura e kanë miratuar në kuvend ku ju e mohoni një gjë të tillë dhe bëheni sikurse asgjë nuk dini por i dini të gjitha sepse je Ministër dhe Zoti i shtëpisë.

Nuk duhet të kërkojmë takim me Ministrin e Bujqësisë sepse nuk është i fushës tonë por me ju Ministër mos ke frikë sepse takimi ynë me ty nuk do ishte problem por nëse mendon se je nivel i lartë duhet të kuptosh se ky popull të ka vendosur aty dhe ky popull të largon nga aty.

Do na kërkosh në takim por mundemi me qenë duke menduar si t’ua sigurojmë pagat lojtarëve dhe stafit e pastaj nuk do kemi kohë të takohemi ne me ty dhe do të jetë vonë.

Komuniteti i futbollit duhet ta vlerësoj vetë mos transparencën e institucioneve karshi njerëzve që investojnë në rininë e këtij vendi.

/GazetaSinjali/