Gazeta Sinjali raportoi sonte për një aksion të Krimeve Ekonomike në asistim me Inspektorët e Ministrisë së Shëndetësisë, që zbarkuan në shtatë barnatore në Prishtinë, ku janë kryer kontrolle nën dyshimin se po bëhet shitja e produkteve farmaceutike të kontrabanduara, të cilat paraqesin rrezik për qytetarët. Në dy prej tyre, janë gjetur një sasi e barnave pa banderola, me ç’rast pronarët janë shoqëruar në stacion policor.
Kush janë dy të dyshuarit që u arrestuan gjatë këtij aksioni?
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Gzonit Salihajn, pronar i barnatores ‘Salihaj’ dhe pronari i një barnatoreje tjetër, Shkëlqim Isufi, të cilët po dyshohen për dy vepra penale “Kontrabandim i mallrave’’ dhe ‘’Tregtia e ndaluar’’.
Në dy barnatoret ku u zhvillua bastisja, u zbulua një sasi e barnave pa banderola, të kontrabanduara, të cilat u gjetën në bunkere të fshehta.
Në këtë aksion policor, përveç Policisë dhe Inspektorëve, kanë intervenuar edhe njësitë e Doganës së Kosovës, me ç’rast janë sekuestruar të gjitha barnat që dyshohen se janë kontrabanduar.


Rasti është konfirmuar edhe nga Policia, me ç’rast u bë e ditur se janë sekuestruar rreth 600 lloje të produkteve, teksa sasia e barnave akoma nuk është numëruar.
“Ekipet policore, inspektorët farmaceutik dhe ekipet nga dogana kanë bërë numërimin e llojit të produkteve të barnave nga ku ka rezultuar se janë sekuestruar 598 lloje të produkteve, kurse sasia e barnave brenda një produkti është më e madhe dhe ka mbetur të numërohen dhe evidentohen nga njësitet përkatëse.
Në polici, janë shoqëruar dy persona të dyshuar, pronarë të barnatoreve, të cilët janë intervistuar në prezencën e avokatit të tyre mbrojtës, ndaj tyre janë iniciuar rastet: ’prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’, ‘kontrabandim i mallrave’ dhe “tregtia e ndaluar” dhe me aktvendim nga prokuroi të njëjtit dërgohen në mbajtje deri në 48 orë.”
Sinjali do të ju mbajë të informuar me detajet e reja të rastit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.