Situata e brishtë financiare e Barcelonës ka marrë një kthesë të rëndësishme, duke e vënë klubin katalanas përballë vështirësive në mbulimin e kostove të rinovimit të stadiumit.
Sipas raportimeve të Catalunya Radio, Barcelona pritet të kërkojë një injeksion shtesë fondesh prej 400 deri në 500 milionë euro.
Kjo kërkesë e re për financim vjen përveç 1.45 miliardë eurove që klubi kishte siguruar më herët nga investitorët e udhëhequr nga Goldman Sachs.
Vonesat në ndërtim dhe rritja e kostove përtej parashikimeve fillestare kanë bërë që as “Spotify Camp Nou” dhe as “Palau Blaugrana” të mos përfundojnë sipas planit të parashikuar.
Bordi i drejtuar nga Joan Laporta pritet ta paraqesë këtë kërkesë urgjente për kredi në Mbledhjen e Përgjithshme të ardhshme, me synimin për të vazhduar projektin e rinovimit të stadiumit.
Kjo barrë e re financiare vjen në një moment delikat për klubin, i cili njëkohësisht po synon edhe transferime të mëdha gjatë verës, përfshirë sulmuesin argjentinas Julian Alvarez.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!