image Autobusët urban devijojnë linjën, detyrojnë udhëtarët të zbresin larg destinacionit të tyre

Sinjalizime

Autobusët urban devijojnë linjën, detyrojnë udhëtarët të zbresin larg destinacionit të tyre

news image

Qytetarët po ankohen se shoferët e autobusëve të trafikut urban në Prishtinë po e devijojnë linjën e udhëtimit, duke i detyruar qytetarët që të zbresin në një stacion tjetër larg destinacionit të tyre, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas një sinjalizuesi i cili ka qenë dëshmitar okular, një rast i tillë ka ndodhur sot në autobusin e linjës 3 në Prishtinë.

Sipas sinjalizuesit, shoferi ka kërkuar që të gjithë udhëtarët të zbresin te rrethi, në fillim të rrugës “Muharrem Fejza”, në lagjen Mati 1. Por, një udhëtare ka kundërshtuar ashpër, duke i kërkuar shoferit ta vazhdojë linjën e rregullt dhe duke i lutur udhëtarët e tjerë që të mos zbresin nga autobusi.

Tutje, sinjalizuesi pohon se kjo nuk është hera e parë që shoferët e trafikut urban detyrojnë qytetarët që të zbresin nga autobusi, me qëllim që ta devijojnë linjën e rregullt, ndërsa shton se udhëtarët thonë se shoferët nuk u japin asnjë arsye se pse duhet të zbresin në një stacion tjetër.

/Gazeta Sinjali/