image Arben Krasniqi merr post drejtues në FBK

Basketboll

Arben Krasniqi merr post drejtues në FBK

news image

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) më 17.09.2020 e ka emëruar Arben Krasniqin në pozitën e Drejtorit Teknik (Drejtor i Programeve të Basketbollit) në Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Përgjegjësitë kryesore të Drejtorit Teknik të FBK-së do të jenë: të menaxhojë Programin Nacional të Certifikimit të Trajnerëve për FBK dhe SHTBK, të zhvillojë dhe menaxhojë programin e trajnimit të trajnerëve të FBK-së, të menaxhojë Qendrën Nacionale të Basketbollit dhe Akademitë e Basketbollit të krijuara në kuadër të kësaj qendre, të koordinojë dhe menaxhojë të gjitha aktivitetet e shkollave dhe Universiteteve për FBK-në dhe të koordinojë dhe menaxhojë Kampin Nacional të FBK-së për gjeneratat e reja.

Ndërkaq, Drejtori Teknik i FBK-së do të jetë përgjegjës për zhvillimin dhe menaxhimin e pjesëmarrjes dhe të gjitha programeve të FBK-së, si dhe shërbimeve me përgjegjësi në fushën e zhvillimit të trajnerëve, zhvillimit të lojtarëve, Qendrën Nacionale të Basketbollit, zhvillimin e Akademive të Basketbollit, masivizimin dhe promovimin e Mini-Basketbollit në të gjitha regjionet e Kosovës.

Arben Krasniqi, ish-basketbollist dhe ish-përzgjedhës i Kosova A, e ushtron zejen e trajnerit prej vitit 2003, ndërsa ka të përfunduar disa trajnime për trajnerë në nivel të lartë ndërkombëtar.

Ai ka udhëhequr disa skuadra kosovare, ndërsa suksesin më të madh e ka arritur me Prishtinën.

Krasniqi do të fillojë punën zyrtarisht me orar të plotë në FBK-së nga data 01.10.2020. /Sinjali Sportiv/