Përdoruesit e Apple në Bashkimin Evropian mund të humbasin disa funksione të reja të iOS 26 për shkak të rregulloreve të rrepta nga Ligji për Tregjet Digjitale (DMA).
Kajl Andir, kreu i departamentit ligjor të Apple, ka konfirmuar se disa funksione të ardhshme mund të shtyhen ose nuk do të jenë të disponueshme fare në Evropë.
Një nga funksionet që mund të mungojë është AirDrop, mjeti për ndarjen e shpejtë të përmbajtjes, që është përdorur nga përdoruesit evropianë të iPhone që nga iOS 7.
Apple ka deklaruar se detyrimet e DMA-së për ndarjen e teknologjive me palë të treta mund të dëmtojnë sigurinë dhe biznesin e tyre, si dhe ka kritikuar disa kërkesa për privatësinë si joreale, duke favorizuar kompani të caktuara, sidomos ato evropiane.
Në kontrast, Apple ka përmbushur kërkesat në Kinë, duke transferuar të dhënat e përdoruesve në qendra të dhënash të kontrolluara nga kompani shtetërore dhe duke hequr aplikacione të caktuara nga App Store-i kinez.
Kritikat e Apple për rregullatorët evropianë, përsa i përket privatësisë dhe konkurrencës, janë shpesh në kontrast me qasjen që mbajnë në Kinë, duke krijuar pyetje mbi koherencën e politikave të kompanisë për lirinë e zgjedhjes dhe privatësinë e përdoruesve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!