image Ankesa në BQK nga qytetarët se bankat po ua ndalin paratë e 10-përqindëshit

Kosovë

Ankesa në BQK nga qytetarët se bankat po ua ndalin paratë e 10-përqindëshit

news image

Shumë kosovarë ia mësynë bankave komerciale në Kosovë në dhjetor të vitit të kaluar për t’i tërhequr 10 për qind të kursimeve pensionale, shkruan Gazeta Sinjali.

Tollovi të mëdha u panë nëpër filiale të Bankave Komerciale pas miratimit të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike në Kuvendin e Kosovës, në të cilin përfshihej edhe tërheqja e 10-përqindëshit nga Trusti.

Ndërkohë, ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi kishte njoftuar se ministria e Drejtësisë në përgjigje të Shoqatës së Bankave të Kosovës, merr qëndrim se 10 përqindëshi i kursimeve pensionale të përjashtohet nga përmbarimi.

Por pavarësisht kësaj, zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti tha për Gazetën Sinjali, se në Bankën Qendrore të Kosovës janë adresuar ankesa nga qytetarët se u janë ndalur mjetet nga bankat.

“BQK-ja nuk mund të ndërhyjë në çështjet që rregullohen me ligje përkatëse lidhur me borxhet eventuale të mos përmbushen apo llogari të caktuara të mos i nënshtrohen procedurës së përmbarimit. Sa i përket numrit të ankesave, ju njoftoj se që nga ekzekutimi i pagesave të Trust-it kemi pranuar 10 ankesa. Nga ky numër, 2 ankesa kanë të bëjnë me çështjet përmbarimore, kurse 8 ankesa kanë të bëjnë me marrëveshjet që klienti ka me bankën”, tha Ahmeti.

E zëdhënësja për media e Shoqatave të Bankave të Kosovës, Anesa Besimi tha se bankat janë duke respektuar vendimin e Ministrisë së Drejtësisë.

“Ju njoftojmë se në bazë të informatave që ne i kemi, sektori bankar e ka respektuar këtë qëndrim të Ministrisë së Drejtësisë. Megjithatë, përveç borxheve që janë subjekt i procedurës përmbarimore, qytetarët kanë edhe borxhe të tjera të ndryshme të cilat nuk janë subjekt i vendimit të mësipërm të Ministrisë së Drejtësisë rrjedhimisht të ardhurat e tyre mund të jenë zbatuar kundrejt borxheve të tilla”, potencoi ajo. /Gazeta Sinjali/