image Aktakuzë ndaj një të dyshuari për përgatitje të veprave terroriste

Kosovë

Drejtësi/ Aktakuzë ndaj një të dyshuari për përgatitje të veprave terroriste

news image

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit S.A., për shkak të veprave penale, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, veprën penale “Mashtrimi”, si dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri S.A., më 12 korrik të vitit 2018, nga posta e Serbisë, në veri të Mitrovicës ia ka dërguar një pako të dëmtuarit, R.R. me një pistoletë, një karikator dhjetëra pako ampula të llojit tramadol, trodon dhe tableta bensedin. Krahas këtyre në këtë pako ai ka futur edhe një pamfletë me logo të Serbisë, me titull “Vrhovna Komanda Oslobodilaqke Vojske Kosova i Metohije”, përmbajtja e së cilës bënte thirrje për të dëmtuarin dhe qytetarët tjerë serbë si, M.R., B.P., S.P., M.N., M.P. dhe D.P., që të bartnin armë nga depot e ndryshme të Mitrovicës, me qëllim që të ndërmerren sulme dhe të përdorej dhunë fizike ndaj qytetarëve serbë në mënyrë që para bashkësisë ndërkombëtare t`i fajësojnë shqiptarët.  Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’.

Prokuroria njofton se i pandehuri S.A., që nga viti 2017 në vazhdimësi, ka mashtruar shumë qytetarë, përmes paraqitjes së fakteve të rreme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore. Ai duke shfrytëzuar situatën e disa qytetarëve serbë, në emër të punësimit të tyre, paraprakisht u ka marrë shuma të ndryshme parash duke u prezantuar si zyrtar i lartë i Ministrisë së Shëndetësisë në Serbi, si përfaqësues i organizatës për të sëmurët me diabet. Me këto veprime i pandehuri S.A., ka kryer veprën penale “Mashtrimi” .

Po ashtu, i pandehuri S.A., më 12.07.2018, ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim armë në mënyrë të paautorizuar, në mënyrë që pistoletën e tipit “CZ Vzor 50”, të kalibrit 7.65 mm, prodhim çekosllovak, pa numër serik, me një karikator, e ka dërguar përmes postës së Serbisë, në pjesën veriore të Mitrovicës, e ka futur në një pako dhe e ka dërguar në emër të Radomir Repanoviq në fshatin Osojan, ashtu që i njëjti armën e pranuar e ka lajmëruar në polici, armë e cila edhe është konfiskuar”, thuhet në komunikatë.

 Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”./Gazeta Sinjali/