image Aktakuzë ndaj dy aktivistëve të PSD-së dhe një të VV-së për “përgatitje të veprës terroriste”

Kosovë

Drejtësi/ Aktakuzë ndaj dy aktivistëve të PSD-së dhe një të VV-së për “përgatitje të veprës terroriste”

news image

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë  gjatë ditës së djeshme ndaj dy aktivistëve të PSD-së dhe një aktivisti të VV-së për “përgatitje të veprës terroriste”, njëri prej të cilit është vëllai i kryetari të Kamenicës, Qëndron Kastratit.

Aktakuzë është ngritur ndaj Gëzon Kastratit, Korab Korçës dhe Çlirim Gërbeshit, dy të parë aktivistë në Partinë Socialdemokrate e i fundit në Vetëvendosje, për veprën penale “Përgatitje të veprës terroriste”.

PSD-ja përmes një reagimi drejtuar mediave, e ka cilësuar këtë aktakuzë si të sajuar nga Themelorja.

“Dje, dy aktivistë të Partisë Socialdemokrate janë njoftuar vetëm përmes telefonit se ndaj tyre është ngritur aktakuzë. Gëzon Kastrati, Korab Korça (ish aktivistë të VV-së, tash në PSD) dhe Çlirim Gërbeshi (aktivist i VV-së) akuzohen për “Përgatitje të Veprës Terroriste”. Ata nuk kanë pranuar asnjë ftesë, njoftim apo çfarëdo lloji tjetër të shkresës zyrtare nga Gjykata Themelore lidhur me rastin. Qysh tani ky proces filloi me parregullsi”, thuhet në reagimin e PSD-së.

Tutje, PSD-ja thotë se “Jo shumë moti e kemi rastin e ngjashëm ku aktivistëve Astrit Dehari, Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Frashër Krasniqit dhe Petrit Ademi ju hudheshin akuza për sulm terrorist ndaj Kuvendit të Kosovës, e që në fund u rrëzua si rast në mungesë provash dhe në këtë mënyrë u bë i pamundur vazhdimi ose fillimi i një procesi të ri”.

“Është e papranueshme që akuza kaq të rënda të përcillen me procese të dyshimta, e që rëndojnë vetëm mbi të akuzuarit dhe asnjëherë mbi trupën gjykuese, apo faktorët tjerë relevant për rastin, të cilët qartazi nuk e kanë kryer punën siç duhet. Kjo na le të kuptojmë se qëllimi ishte disiplinimi i qytetarëve protestues, përmes inskenimeve të rasteve ndaj aktivistëve, për të cilët nuk u gjet asnjë provë. I njëjti fat e pret edhe rastin në fjalë”, thuhet në reagim.

PSD-ja, cilëson se “Rastet e montuara politikisht cenojnë mundësinë që Republika e Kosovës të zhvillohet si vend demokratik”.

“Kjo gjë nuk do të lejohet në asnjë mënyrë. Ne jemi të bindur që ky proces është i sajuar dhe si i tillë do të rrëzohet. Partia Socialdemokrate mbështet aktivistët në secilin hap të nevojshëm për dëshmimin e pafajësisë së tyre. Kërkojmë nga Gjykata Themelore që sa më parë të ndalojnë persekutimin politik të aktivistëve pa asnjë bazë faktuale”, përfundon reagimi i Partisë Socialdemokrate.