image Agim Veliu: Sipas logjikës së sëmurë të Kurtit, do të duhej të shkarkohej edhe Arben Vitia, ka përdorur standarde të dyfishta

Kosovë

Agim Veliu: Sipas logjikës së sëmurë të Kurtit, do të duhej të shkarkohej edhe Arben Vitia, ka përdorur standarde të dyfishta

news image

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu që para pak ditësh u shkarkua nga kryeministri Albin Kurti nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme, ka thënë se Kurti po përdor standarde të dyfishta.

Veliu, në një prononcim për Gazetën Sinjali ka thënë se edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia do të duhej të shkarkohej sipas “logjikës së sëmurë të Kurtit”, pasi ka kërkuar kufizimin e qarkullimit të automjeteve dhe qytetarëve në orare të caktuara në të gjithë Kosovën.

“Albin Kurti ka përdorë standarde të dyfishta prej fillimit. E pash çka ka kërkuar Arben Vitia. Sigurisht sipas logjikës së sëmurë të atij, ai duhet të shkarkohet, si të deklaron diçka të tillë duhet të shkarkohet”, ka thënë Veliu.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme ka theksuar se Albin Kurti nuk ka guxim as dije për t’u marrë me problemet reale të Kosovës. Madje nënkryetari i LDK-së nuk ka hezituar ta quaj frikacak dhe të paditur liderin e LVV-së.

“Kurti nuk e ka pasë mendjen me u marrë me virusin e as me problemet me të cilat e preokupojnë Kosovën. Në pamundësi e pa pasë guxim që të merret me tema të duhura ai ka marrë vendime që nuk çojnë peshë. Nuk çon peshë për mua a jam shkarkuar a jo, as një pikë, nuk çon peshë që jam shkarkuar prej një frikacaku dhe një dështaku që nuk meriton me qenë kryemister i një vendi, sepse ai as nuk ka guxim as nuk ka dije me u marrë me problemet reale të Kosovës”, ka thënë ai.

Agim Veliu ka theksuar se nuk tërhiqet nga deklarata e dhënë dhe sipas tij duhet të merren masat ekstreme për ta luftuar koronavirsuin pasi siç ka njoftuar ai nga 1 marsi deri më 17 mars në Kosovë kanë hyrë 275 mijë persona.

“Nuk e di, unë e kam thënë mendimin tim që nuk tërhiqem, unë kam qenë i mendimit që duhet prej fillimit të marrim masa ekstreme në mënyrë që ta parandalojmë të keqen sepse unë i kam sinjalizuar edhe ato ditë kur i kam thanë është rreziku siguria publike në Kosovë pasi më tepër se 275 mijë njerëz kanë hy prej 1 marsi deri më datën 17 mars kanë hy dhe kanë dal në Kosovë. Kjo është një shifër e madhe dhe kanë shëtit nëpër Kosovë, arsye tjetër është së rezervat e shtetit pa një gjendje të tillë është e kundërligjshme të shpenzohen, pastaj arsye tjetër është pasi të gjitha kapacitetet private nuk mund edhe nuk dinë si të shfrytëzohen”, ka thënë Veliu.

Zëdhënësi Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se nuk është marrë ende vendim për ta kufizuar qarkullimin e veturave dhe personave në Kosovë. Ai ka theksuar se nuk i komentojnë propozimet deri sa ato të jenë vendime.

“Propozimi i ministrit do t’i dorëzohet kryeministrit nëse nuk i është dorëzuar, e të njëjtat kanë me u diskutu në mbledhjet e qeverisë. Të gjitha vendimet bëhen publike në momentin e marrjes së vendimit. Momentalisht jemi në fazën e propozimit të masave të reja, për atë nuk po komentoj kurrgjë. Propozimet marrin formën e fundit pas diskutimit në mbledhje dhe votimit, për mos më shkaktu paqartësi kemi vendos mos me i komentu propozimet. Komentohen dhe shpjegohen vetëm vendimet”, ka thënë Përparim Kryeziu për Gazetën Sinjali.

Gazeta Sinjali ka provuar që të kontaktoj edhe me ministrin Arben Vitia, por ai nuk e ka hapur telefonin.

Vitia si masë të re për ta luftuar koronavirusin ka propozuar kufizimin e qarkullimit të automjeteve dhe qytetarëve në orare të caktuara në të gjithë vendin.

“Ministria e Shëndetësisë në koordinim të plotë me ministritë e linjës dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), konform Planit të Veprimit dhe në pajtim të plotë me masat emergjente të aprovuara nga Qeveria e Kosovës, pas shtimit të numrit të rasteve të reja të personave që kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID – 19, propozon masa të reja të cilat kanë për qëllim mbrojtjen shëndetit publik, respektivisht kufizimin e qarkullimit të automjeteve dhe qytetarëve në orare të caktuara në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Vitia.

Ndërsa, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosjes s’kanë asnjë përgjegjësi për pozitat që mbajnë por vetëm bëjnë propagandë. Madje, ka thënë se udhëheqësit e Vetëvendosjes bëjnë fushatë që do t’ua kishin lakmi edhe regjimet diktatoriale.

Këtë reagim Mustafa e ka ndërlidhur me gjendjen e fundit ku një person vdiq si pasojë e koronavirusit si dhe me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

“Prandaj, kur dëgjoj disa zyrtar të lartë qeveritar të VV-së se me çfarë papërgjegjësi flasin dhe si konstruktojnë aleanca, më vjen ta gjykoj veten për gabimin që e bëra kur e mbështeta këtë koalicion me këta njerëz që s’kanë asnjë përgjegjësi për pozitat që i mbajnë por vazhdojnë me fushatë dhe propagandë, për çfarë do t’ua kishin lakmi edhe regjimet më diktatoriale”, ka shkruar Mustafa në një reagim.

Ai para disa ditësh ka kërkuar që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Këtë plan e propozoi në mbëmje edhe presidenti Hashim Thaçi, e më vonë ende edhe Agim Veliu. Si pasojë e kësaj, të nesërmen ministri i Brendshëm u shkarkua nga kryeministri. /Gazeta Sinjali/