image Admirali amerikan e kundërshton hapur Trumpin: Ne nuk gënjejmë për koronavirusin

Botë

Admirali amerikan e kundërshton hapur Trumpin: Ne nuk gënjejmë për koronavirusin

news image

Një pjesëtar kryesor i ekipit të Shtëpisë së Bardhë kundër koronavirusit e ka hedhur poshtë aludimin e presidentit amerikan, Donald Trump se mjekët në institucionet federale po gënjejnë publikun për për masat kundër pandemisë në SHBA.

Trump postoi në Twitter një koment të Chuck Woolery, ish-prezantues i një emisioni argëtues televiziv, i cili shkruante se “të gjithë gënjejnë”, përfshirë Qendrën për Kontrollin e Sëmundjeve, dhe “mjekët tanë, jo të gjithë, por pjesën më të madhe, të cilëve na është thënë t’u besojmë”.

Por Admirali Brett Giroir, që është i përfshirë në ekipin e Shtëpisë së Bardhë kundër koronavirusit, tha në emisionin “Today” të rrjetit NBC se “ne mund të bëjmë gabime nganjëherë, bazuar në informatat që kemi, por asnjë nga ne nuk gënjen”.

“Ne jemi plotësisht transparentë me popullin amerikan. Asnjë nga ne nuk është gjithmonë 100% i saktë, por ne e pranojmë këtë fakt”, tha admirali.

Në përgatitje për zgjedhjet, presidenti është munduar të zbusë ndikimin e virusit në komentet e tij, duke thënë kohët e fundit se ndikimi i infeksioneve të reja në SHBA në 99% të rasteve “është krejt i parrezikshëm”.

Gjatë javëve të fundit, Trump ka pasur kontakte të kufizuara me ekspertin kryesor amerikan të sëmundjeve infective, Dr. Anthony Fauci dhe ka thënë se megjithëse personalisht e pëlqen, Fauci ka bërë “shumë gabime”. /Gazeta Sinjali