image Abdixhiku i reagon Kurtit: Paniku ndërkombëtar rreth Kosovës është interes i Vuçiqit dhe Serbisë - Sinjali

Abdixhiku i reagon Kurtit: Paniku ndërkombëtar rreth Kosovës është interes i Vuçiqit dhe Serbisë

news image

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti lidhur me deklaratat e tij se në Kosovë mund të ketë luftë, dhënë për një media italiane. Abdixhiku thotë se këso deklarata japin mesazh të gabuar për vendin tonë.

Ai në statusin e tij në Facebook ka thënë se Kurti është dashur të flas për investime, integrime e jo për luftë të mundshme, duke shtuar se kjo bie në desh me imazhin e ndërtuar nga festivalet ndërkombëtare që po mbahen në Kosovë këtë verë.

“Kurti flet për luftë. Ky është lajmi i mediave ndërkombëtare për Kosovën sot. Jo për investime, jo për integrime, por për luftë në Kosovë. Kaq për mesazhin tonë nëpër botë. Dhe kështu, me mjeshtërinë e sherrit të një axhamie, ai arriti t’i bëjë konkurrencë të fortë lajmeve të mira që vera kulturore e Prishtinës dhe Kosovës ka prodhuar në po të njëjtat media tash e sa kohë.”, shkruan kreu i LDK-së në Facebook.

Abdixhiku shton se Kurti e dëshiron krizën dhe po ashtu ka dëshirë të jetë protagonist.

“Ky njeri e dëshiron krizën. E ëndërron protagonizmin tek paniku. Sikurse Vuçiqi, investimet tek shteti i të cilit natyrisht se nuk ndalojnë, edhe ky flet për një Kosovë të luftës, krizës e frikës. Çfarë të duhet propaganda e kundërshtarëve të shtetit, kur ke një kryeministër që të bën autogol?! Pyesni sot kompanitë kosovare se çfarë mesazhe marrin nga bashkëpunimet e tyre nëpër botë. Cili i marrë investon në një shtet kryeministri i të cilit paralajmëron luftë? Njëmijë Dua Lipa s’bëjnë punë më”, shtoi ai.

Tutje Abdixhiku thotë se paniku ndërkombëtar për luftë në Kosovë është interes i Vuçiqit dhe Serbisë, e jo i Kosovës të cilës i duhet stabiliteti.

“Kosovës i duhet stabilitet dhe zhvillim. Shteti ynë përveç sigurisë vetanake ka dhe aleancën më të madhe ushtarke, atë të NATO-s, që garanton sigurinë tonë territoriale ndaj çdo agresioni të mundshëm. Kjo është e vërteta jonë; dhe këtë të vërtetë duhet ta ushqejmë çdo ditë – duke forcuar veten në siguri e duke përforcuar aleancën me NATO-n si synim historik. Paniku ndërkombëtar rreth Kosovës së luftës e krizës e destabilitetit është interes veç i Vuçiqit e i Serbisë”, përfundoi ai.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin