image A dërguan ankesë në PZAP për moscertifikim - flasin nga VV, Nisma e AAK

Kosovë

A dërguan ankesë në PZAP për moscertifikim – flasin nga VV, Nisma e AAK

news image

Me vendimin e mbrëmshëm të Komisionit Qendror Zgjedhor për moscertifikim të listave të kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, e për këtë të fundit as certifikim të vet subjektit për shkak të përfshirjes në lista të kandidatëve të dënuar për shkelje të ligjit, ka filluar edhe afati 24 orësh për ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Ndonëse ju kanë mbetur edhe pak orë për t’u ankuar në PZAP, ky afat mund të zgjatet edhe deri më 31 janar nëse partitë e pakënaqura i drejtohen Supremes.

Lëvizja Vetëvendosje në një përgjigje për Gazetën Sinjali kanë thënë se ende nuk kanë vendosur se si do të veprojnë.

“Kur të kemi diçka do t’ju njoftojmë”, ka thënë shkurt Arlind Manxhuka, zëdhënës i VV-së.

Kurse nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se do të vendosin në mes të zëvendësimit të anëtarëve dhe ankesës.

“Jemi duke pritë me ardhë vendimi final, pastaj partia do të vendosë se a bëhet ankesë apo bëhet zëvendësimi, dmth nuk kemi marrë ende asnjë vendim. Atë e marrim pasi të na vije vendimi final”, ka thënë për Gazetën Sinjali kandidati për deputet, Selim Selimi.

Ndërsa nga Nisma Socialdemokrate kanë thënë se e kanë bërë gati ankesën dhe do ta dërgojnë sot në PZAP.

“Po sigurisht që po, ne e kemi bërë gati dhe sot gjatë ditës do ta dërgojmë”, ka deklaruar për Sinjalin Vesel Krasiqi, kandidat për deputet nga Nisma.

Gjatë ditës së sotme sqarim për refuzimin e certifikimit ka dhënë KQZ-ja. Valmir Elezi nga ky institucion ka thënë se Zyra për Regjistrim të Subjekteve Politike e ka pyetur Këshillin Gjyqësor të Kosovës nëse ndonjëri prej kandidatëve nuk i plotëson kriteret për kandidim për deputet, që parashihen me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Germat ‘a’, ‘p’ dhe ‘q’ ne nenin 29 theksojnë se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: a) gjykatës apo prokuror në Kosovë ose gjetkë; p) me anë të vendimit të gjykatës i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe q) i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit. Prandaj, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim ka kërkuar nga KGJK-ja të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve ‘nëse janë gjykatës’; ‘nëse janë subjekt i vendimit të gjykatës me të cilin i është hequr e drejta për të qenë kandidat’ dhe ‘nëse janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit’. Në përgjigjen që KGJK i ka kthyer Zyrës për Partitë Politike dhe Certifikim ka vërejtur se janë 47 kandidat që kanë vendime të formës së prerë në tri vitet e fundit”, ka bërë të ditur Elezi për KP.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt. Ato u shpallën pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e cilësoi të pavlefshme votën e ish-deputetit Etem Arifi për formimin e Qeverisë Hoti.

/Gazeta Sinjali/