image Dënohet me tetë vjet burgim ish-ministri austriak i Financave

Botë

Dënohet me tetë vjet burgim ish-ministri austriak i Financave

news image

Karl-Heinz Grasser, ish-ministri austriak i Financave është dënuar me tetë vjet burgim për rolin e tij në një skandal korrupsioni në nivele të larta.

Grasser u shpall fajtor për përvetësim, marrje ryshfeti dhe falsifikim të provave në një marrëveshje për shitjen e mijëra apartamenteve në pronësi publike.

Gjykata në Vjenë tha se ish-ministri është përfshirë në pagesa të paligjshme që shkojnë në mbi 9 milionë euro. Ai vetë mohon çdo akuzë dhe thotë se do ta apelojë vendimin.

Grasser u bë ministri më i ri i Financave në historinë e vendit në vitin 2000. Çështja që ka bërë bujë përfshin gjithsej 14 të pandehur, të cilët përballen me një sërë akuzash, ndër të cilat dhe ato të pastrimit të parave, mashtrimit dhe falsifikimit të provave, raporton TCH, transmeton Gazeta Sinjali.

Gjykata tha se Grasser dhe një ndërmjetës kaluan të dhëna lidhur me një ofertë gjatë një skeme për privatizimin e 60,000 apartamenteve. Informacionet në fjalë i krijuan një pretendenti rival mundësinë të paraqiste një ofertë pak më të lartë fituese.

Një konsorcium i bleu apartamentet për 961 milion euro dhe tre vjet më vonë, ato u vlerësuan me dyfishin e kësaj shume.

Sipas gjykatësit, një për qind e çmimit të blerjes apo 9.6 milionë euro, i shkuan ish-sekretarit të Përgjithshëm të Partisë austriake të Lirisë së Austrisë, Walter Meischberger dhe lobistit Peter Hochegger.

Të dy ata kanë marrë gjithashtu dënime me burgim. Paratë, gjithmonë sipas pohimeve të gjykatës, ishin ndarë në tre llogari bankare./Gazeta Sinjali/