image 28-vjeçarja nga Truda e denoncon burrin e saj për dhunën sistematike, ai thotë se fajet i ka xhelozia: Me dorë s'e kam prekur

Siguri

28-vjeçarja nga Truda e denoncon burrin e saj për dhunën sistematike, ai thotë se fajet i ka xhelozia: Me dorë s’e kam prekur

news image

Vetëm sot Gazeta Sinjali raportoi për dy raste të dhunës në familje, ku gratë kanë pësuar dhunë sistematike nga bashkëshortët e tyre. Por ky nuk është rasti i vetëm që është denoncuar së fundmi në Policinë e Kosovës. Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë dhënë detaje për një ngjarje të tillë, që ka ndodhur në fshatin Trudë, gjatë ditës së djeshme.

Edhe këtë herë, për shkak të frikës, gruaja që ka përjetuar dhunë fizike e psikike nuk e ka raportuar rastin menjëherë në Polici, me shpresën se problemet me bashkëshortin zgjidhen. Por siç duket një gjë e tillë nuk ndodhi pasi çifti patën një konflikt edhe dje, kur për një moment burri i është drejtuar gruas me fjalët “shko te nëna jote”.

Për dhunën psikike që ka përjetuar jo vetëm dje por në vazhdimësi viktima vendosi ta denoncojë burrin, gjatë ditës së djeshme.

Sipas burimeve të Sinjalit, në rrëfimin e saj në Polici, ajo ka treguar se si burri i saj Z.SH., e ka sulmuar, duke e ka kapur shumë herë për fyti, por që ajo asnjëherë nuk e ka denoncuar. E shqetësuar për problemet në familje, viktima ka kërkuar ndihmë nga Policia, për të parandaluar ndonjë të keqe më të madhe që mund t’i ndodhë.

Përveç raportimit për dhunë, gruaja ka deklaruar në Polici se burri i saj posedon edhe armë, të cilën ia ka parë para disa ditëve dhe i ka shkaktuar frikë.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, ku është përballur me denoncimin kundër tij. Gjatë deklarimit para hetuesve policorë, i dyshuari ka thënë se motivi i konfliktit me gruan e tij është xhelozia dhe e ka mohuar kategorikisht t’i ketë shkaktuar dhunë.

Megjithëkëtë, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i njëjti të ndalohet për 48 orë dhe ndaj tij të iniciohet rasti “dhunë në familje”.

/GazetaSinjali/