image ​Shërbime online për fëmijët me aftësi të kufizuara

Sociale

​Shërbime online për fëmijët me aftësi të kufizuara

news image

Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar ka angazhuar ekspertë të cilët ofrojnë seanca psikologjike, edukative dhe terapeutike për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuar. Këtë e ka bërë në bashkëpunim me organizata anëtare dhe synon ndër të tjera të vetdijësojë prindërit në kujdesin nga përhapja e koronavirusit.

Izolimi, i shkaktuar si pasojë e përhapjes së koronavirusit, ka ndikuar mjaft rëndë edhe të personat me aftësi të kufizuara.

Vështirësitë për të zhvilluar aktivitete të ndryshme në izolim ka sjellë probleme emocionale të shumë fëmijë të kësaj kategorie.

Ministria e Arsimit ka krijuar një platformë të mësimit online për personat me nevoja të veçanta, por kryetari i Forumit të Aftësisë së Kufizuar, Bujar Kadriu thotë se e njëjta nuk ishte e qasshme për të gjitha grupet e aftësisë së kufizuar.

“Ministria e Arsimit ka lansuar edhe një platformë për edukimin e fëmijëve me nevoja të veçanta por praktikisht kjo platformë nuk mund të them që ka qenë e qasshme për të gjitha grupet e aftësisë së kufizuar, duke marrë parasysh që kemi grupe të caktuara të aftësisë së kufizuar që për mungesë të qasjes në informacion nuk mund t’i qasen platformave, rast konkret të fëmijët e shurdhër, ata pa një interpret të gjuhës së shenjave e kanë të pamundur qasjen në platformë”, thotë Kadriu për Kosovapress.

Tani Forumi i Aftësisë së Kufizuar po bën thirrje që fëmijët t’i bashkohen një programi të cilin e kanë nisur në maj, e që ofron shërbime pa pagesë në këtë kohë të pandemisë.

Ata po synojnë të vetdijësojnë prindërit dhe fëmijët për pasojat e koronavirusit dhe cilat masa duhet ndërmarrë si masë mbrojtëse.

Përmes sistemit online në kuadër të këtij programi do të kenë qasje të gjitha grupet, si personat e shurdhër, të verbër dhe ata me lëndime fizike.

“Çdo fëmijë me aftësi të kufizuar mund t’i merr këto shërbime pa pagesë në mënyrë që ata mos të ngecin në zhvillim si pasojë e Covid 19, dhe ne padyshim që këto shërbime i kemi koordinuar mirë me organizatat tona, me ekspertë të fushës dhe këto kanë filluar prej datës 4 maj dhe do të jenë deri më 31 korrik 2020”, thotë Kadriu.

Ai thotë se çdo fëmijë, pavarësisht zonës ruarale e urbane ku jeton, të ketë mundësi t’i marrë këto shërbime, meqë sipas tii, COVID-19 ka prekur më shumë këta fëmijë.

Kadriu tregon se programi është përgatitur në përputhje me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Përmes këtij programi ai thotë se prindërit do të mund të kuptojnë mënyrën si ta parandalojnë përhapjen e Covid 19 të fëmijët e tyre.

Kadriu tregon se do të hartojnë një plan veprimi për në shtator meqë ende nuk dihet si do të vazhdojë mësimi për shkak të pandemisë.

Deri tani janë 1 mijë e 300 fëmijë që janë bërë pjesë e këtij programi, ndërkohë ka kapacitet të mbulojë 4 mijë./Gazeta Sinjali/