image ​Kosova dhe Shqipëria me marrëveshje për treg të përbashkët të energjisë

Kosovë

​Kosova dhe Shqipëria me marrëveshje për treg të përbashkët të energjisë

news image

Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRrE) dhe Enti Rregullator i Energjisë së Shqipërisë (ERE), kanë nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi për njohjen reciproke të licencave për veprimtarinë e tregtimit dhe furnizimit të energjisë elektrike.

Kjo marrëveshje u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt integrimit të tregut të energjisë elektrike në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, tha se marrëveshja e sotme është në funksion të integrimit të tregut të energjisë elektrike në mes dy vendeve.

“Me qëllim të integrimit të dy tregjeve, sot ne nënshkruajmë memorandumin për njohjen e ndërsjellë të licencave. Një treg i përbashkët do t’i hapë rrugë investimeve të reja në sektorin e energjisë”, tha ai.

Ndërkaq, Kryesues i Bordit të ERE, Petrit Ahmeti, është shprehur i bindur se kjo marrëveshje e nënshkruar sot do të gjejë zbatim të menjëhershëm në të dyja vendet.

“Këto dokumente që janë hapat e parë të një bashkëpunimi është si një kurorëzim për të pasur një bashkëpunim të frytshëm në mes të dy vendeve. E kam besimin e plotë që do të funksionojë”, tha ai, raporton KP.

Këtë marrëveshje e kanë cilësuar tejet të rëndësishme edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Ilir Bejtja./GazetaSinjali/