COVID-19

Të infektuar

1142

Të shëruar

871

Të vdekur

30

Siguri/ ​Hapen lokalet dhe vazhdojnë shëtitjet në “Shatërvan”, policia jep detaje për të ndaluarit në Prizren

news image

Gjatë 24 orëve të fundit Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka intervenuar në shtatë raste të ndryshme për mosrespektim të dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë dhe është detyruar të shoqërojë 24 persona.

Zëdhënësi i DRP Prizren, Shaban Osmanollaj deklaroi përmes telefonit se kanë ndërhyrë në fshatin Korishë ku 7 persona kanë qenë në një kafiteri, ndërsa ka pasur të ndaluar edhe në pjesët e tjera të komunës, përfshirë sheshe dhe rrugë.

“Kemi pasur një rast në fshatin Korishë është raportuar se shtatë të dyshuar meshkuj kosovarë janë takuar në një lokal duke konsumuar pije dhe me këtë rast nuk e kanë respektuar vendimin lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë. Të njëjtit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt. Pastaj, kemi pasur në rrugën ‘Adem Jashari’ në Prizren, në sheshin ‘Shatërvan’, këto dy raste kanë qenë me nga dy persona. Gjithashtu në rrugën “Ulliam Uolker” në Prizren, në rrugën “Vetim Shala”. Janë takuar edhe tre persona të dyshuar meshkuj kosovarë të cilët kanë lëvizur në autostradë duke mos respektuar vendimin të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë për respektimin e orarit. Kemi përsëri në rrugën ‘Ibrahim Rugova’ në Prizren janë raportuar katër persona, dy meshkuj dhe dy femra, duke lëvizur me automjetin e tyre duke mos respektuar orarin e qarkullimit. Të njëjtit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, deklaroi Osmanollaj.

Shëtitjet pas kohës së iftarit vazhdojnë të jenë një shqetësim për autoritetet në Prizren. Osmanollaj deklaroi se edhe mbrëmë kanë intervenuar së bashku me inspektorët ku ka pasur edhe të shoqëruar.

“Janë disa raste pas iftarit që po shfrytëzohen disa të rinj me dal në sheshin ‘Shatërvan’ mirëpo policia ka reaguar dhe bashkë me inspektorët madje gjatë natës së mbrëmshme kemi qenë se bashku me inspektorët disa njësi policore deri në orët e vona që janë udhëzuar qytetarët dhe janë kontrolluar të gjitha ata që a janë në përputhje me orarin e qarkullimit. Tek një pjesë e kemi gjetur që kanë pasur në atë kuptimin kanë pasur në të njëjtën kohë të drejtë qarkullimi mirëpo jo për ta shfrytëzuar për shëtitje ose diçka tjetër”, vijoi Osmanollaj.

Po ashtu, zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren deklaroi për KP se shumë prej të ndaluarve janë arsyetuar se janë duke shkuar në punë ose janë për kthim në shtëpi nga puna.

Ai ka kërkuar që të gjithë punëtorët duhet të pajisen me lejen e veçantë të ATK-së, ndryshe do të ndalohen.

Gjithashtu, ai iu ka rikujtuar qytetarëve se orari i lëvizjes nga Qeveria e Kosovës nuk është për shëtitje por për të kryer shërbimet bazike, si për ushqime apo për të marrë shërbimet mjekësore.

“Punëtorët duhet të pajisen me vërtetimin e ATK-së dhe të shfrytëzojnë të drejtën për të lëvizur gjatë orarit të punës. Por të njëjtit ta shfrytëzojnë orarin për shërbime sepse kjo nuk shfrytëzohet për gjëra të tjera, por vetëm për shërbime ose për nevoja qoftë familje, qoftë mjekësore ose nevoja të ndryshme që kanë qytetarët ta shfrytëzojnë orarin e përcaktuar nga ministria dhe rekomandimet e Instituti Kombëtar të Shëndetit. […] Fatkeqësisht mbrëmë kemi pasur 8 raste në Prizren që janë evidentuar me COVID sado po shpresojmë që jemi nga fundi, mirëpo ka raste kështu që qytetarët duhet t’i respektojnë vendimet dhe udhëzimet nga njësitë profesionale dhe zyrtarët kompetentë që merren me këtë çështje”, përfundoi Osmanollaj.

Ndryshe, në nivel vendi janë ndaluar 26 persona në 9 raste. Përpos Prizrenit, nga një i shoqëruar ka qenë edhe në Mitrovicë të Jugut dhe në Ferizaj./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: